Përfaqësuesit e Sekretariatit të Përbashkët Teknik, Organ përgjegjës për monitorimin e projekteve brenda Programit IPA II CBC Mali i Zi - Kosovë 2014-2020, mbajtën një takim me partnerët për projektin NO BORDERS. Gjatë takimit, partnerët e projektit paraqitën aktivitetet që i kanë kryer deri tani, sfidat me të cilat janë përball gjatë zbatimit të projektit, dhe u shqyrtuan hapat e ardhshëm për një realizim më të suksesshëm të projektit.
Partnerët me sukses kryen trajnimin në vendin e punës dhe u shpërndanë certifikata pjesëmarrësve. Rreth 15 pjesëmarrës në Mal të Zi dhe 14 në Kosovë patën mundësinë të mësojnë nga mentorët e tyre dhe të fitojnë përvojë dhe njohuri të vlefshme në sektorët e turizmit dhe mikpritjes dhe disa prej tyre edhe më tutje vazhdojnë të punojnë tek punëdhënësit ku ndoqën trajnimin tremujor.
U kryen pesë punëtori për idetë e biznesit, dhe janë në vazhdim dy sesionet finale grupore dyditore mbi negocimin dhe qasjen në financa, si dhe prezantimi i ideve të biznesit, të cilat do të shërbejnë si përgatitje për garën për idenë më të mirë të biznesit. Gjatë punëtorive dyditore, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me aspektet kyçe të ndërmarrësisë, si çështjet ligjore, regjistrimi i biznesit, menaxhimi financiar, planifikimi strategjik, modelet e biznesit, marketingu dhe shitjet, si dhe marketingu dixhital.
Sa i përket trajnimeve për udhërrëfyes turistik të licencuar, partneri nga Mali i Zi e kreu me sukses këtë trajnim dhe është në proces provimi përfundimtar, ndërsa zbatimi i këtij aktivitetit në Kosovë është në vazhdim e sipër. Në periudhën e ardhshme duhet të krijohet një platformë online për marketing dhe shitje, me qëllim që të sigurohet promovimi i mëtejshëm i bizneseve lokale ndërkufitare dhe të mbështetet dukshmëria e tyre përmes ofertës së duhur të produkteve dhe shërbimeve të tyre.
Përfaqësuesit e Sekretariatit të Përbashkët Teknik deklaruan se janë të kënaqur me aktivitetet e deritanishme të realizuara nga partnerët e projektit. Ata theksuan se vetëm bashkëpunimi shpie në rezultate të dukshme dhe theksuan se, përpara tyre ka shumë sfida dhe aktivitete që duhet të realizohen.
Projekti "Aftësitë për punësim të qëndrueshëm në rajonin ndërkufitar të Malit të Zi dheRepublikës së Kosovës - PA KUFI! (NO BORDERS)", që po realizohet nga Oda Ekonomike e Malit të Zi së bashku me partnerët - Oda Ekonomike e Kosovës, OJQ ETRI dhe Qendra Rajonale e Biznesit Berane, është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi - Kosovë 2014-2020.
Qëllimi kryesor i projektit është rritja e nivelit të punësimit të të rinjve dhe grave përmes përmirësimit të aftësive dhe njohurive të nevojshme për punësim, si dhe mbështetja e zhvillimit të bizneseve në zonën kufitare.